Programi për Avokim

Çfarë është Programi për Avokim?

Shoqata Down Syndrome Kosova realizon veprime avokuese të cilat janë thelbësore për promovimin e të drejtave, mirëqenies dhe gjithëpërfshirjes së individëve me sindromën Down.Programi për Avokim synon përfshirjen aktive të individëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre në proceset vendimmarrëse, si dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit që garanton të drejtat e tyre. Nëpërmjet këtij programi, DSK ndikon në politikat publike, promovon shërbime gjithëpërfshirëse dhe mbështet një kulturë respekti dhe barazie në shoqëri.

DSK ofron këshillim ligjor bazik për familjet, asiston në procedura administrative dhe organizon sesione informuese për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara (PAK), me theks të veçantë tek individët me sindromë Down.

Fushat kryesore të avokimit

Avokim për politikat publike

Hartim rekomandimesh, pjesëmarrje në konsultime publike, buxhetim me pjesëmarrje dhe organizim fushatash ndërgjegjësimi për të drejtat e individëve me sindromë Down.

Mbështetje ligjore & konsultim

Këshillim ligjor bazik, asistencë në procedura administrative, orientim për të drejtat dhe shërbimet, sesione informuese me prindër dhe profesionistë.

Rrjetëzim & përfaqësim

Anëtarësim dhe pjesëmarrje në rrjete vendore e ndërkombëtare, forume, konferenca dhe platforma të bashkëpunimit me institucione publike dhe OJQ.

Hulumtime & policy briefs

Mbledhje të dhënash, analiza, hartim indikatorësh të monitorimit dhe publikim i dokumenteve të shkurtra politikash (policy briefs) që ndihmojnë vendimmarrësit.

Vetë-avokimi

Vetë-avokimi i individëve me sindromën Down është një aspekt thelbësor i zhvillimit të tyre personal dhe i përfshirjes aktive në shoqëri. Për shkak të sfidave të veçanta në komunikim dhe zhvillim, këta individë kanë nevojë për asistencë dhe mbështetje të strukturuar për të zhvilluar aftësinë për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e tyre. Përmes vetë-avokimit, ata marrin pjesë në proceset vendimmarrëse që lidhen drejtpërdrejt me ta dhe përfshihen në mënyrë aktive në diskutime që ndikojnë në jetën e tyre. Gjithashtu, ata marrin pjesë në ngjarje dhe iniciativa që promovojnë të drejtat dhe interesat e tyre, duke avokuar për veten dhe duke bashkëvepruar me të tjerët që përballen me sfida dhe përvoja të ngjashme. Prandaj, vetë-avokimi luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vetëdijes, autonomisë dhe pjesëmarrjes së tyre të plotë në shoqëri.

Grupet mbështetëse të prindërve dhe të rinjve

Në kuadër të avokimit, DSK organizon dhe mbështet grupet mbështetëse të prindërve në nivel lokal dhe regjional, ku prindërit ndajnë përvoja, marrin informata të sakta mbi të drejtat dhe shërbimet, si dhe fuqizohen për të avokuar për fëmijët e tyre. Organizohen gjithashtu grupe të të rinjve me sindromë Down, të cilët aftësohen për vetë–avokim, pjesëmarrje aktive në komunitet dhe përfaqësim në ngjarje publike. Grupi mbështetës i prindërve avokues vepron si urë lidhëse mes familjeve, DSK-së dhe institucioneve.