PAAP – Programi për Autonomi dhe Aftësim Profesional (12+)
Çfarë është PAAP?
Programi për Autonomi dhe Aftësim Profesional (PAAP) u dedikohet të rinjve dhe të rriturve me sindromë Down mbi moshën 12 vjeç. Qëllimi kryesor është zhvillimi i autonomisë personale dhe sociale, si dhe përgatitja për integrim në tregun e punës përmes aftësimit profesional.
Shërbimet ofrohen individualisht dhe në grup, duke respektuar nevojat dhe potencialin e secilit të ri.
Programi PAAP është i akredituar nga Ministria e Përkatëse, Departamenti për politikat e shërbimeve sociale dhe familjare, ndërsa stafi është i licencuar për ofrimin e shërbimeve psikosociale po nga ky institucion.
Shërbimet terapeutike / sociale
Procesi i vlerësimit në PAAP ndjek të njëjtin parim si tek PIEH: kontakti i parë, vlerësimi multidisiplinar, hartimi i Planit Individual të Aftësimit dhe rishikimi i rregullt i progresit.
Autonomia sociale dhe edukimi seksual
Autonomia personale nënkupton aftësinë për të kryer në mënyrë të pavarur veprimet e përditshme, si larja dhe higjiena personale, ushqyerja, veshja–zhveshja, orientimi hapësinor dhe kohor. Autonomia sociale përfshin aftësitë e komunikimit dhe sjelljes në komunitet, përdorimin e parave dhe shërbimeve publike, përdorimin e transportit dhe respektimin e rregullave dhe normave sociale.
Edukimi seksual synon informimin për shëndetin seksual dhe riprodhues, kuptimin e kufijve personalë, dashurisë, miqësisë dhe marrëdhënieve, si dhe mbrojtjen nga abuzimi dhe shfrytëzimi, përmes informacionit të qartë dhe të përshtatur me moshën.
Edukimi joformal, vetë–avokimi & aftësimi profesional
Klasat për edukim joformal dhe vetë–avokim mbështesin të rinjtë në arritjet akademike, art dhe sport, dhe i aftësojnë ata për të njohur dhe mbrojtur të drejtat e tyre, duke u bazuar në konceptin e qytetarisë aktive dhe vetë–avokimit.
Klasat për aftësim profesional dhe punësim ofrojnë përgatitje teorike dhe praktike për profesione konkrete dhe për përfshirje në tregun e punës. Programi përfshin praktikë në punëtori të DSK-së dhe partnerë të jashtëm.