. 
Ka filluar procesi i rivlerësimeve për anëtarët në pesë qendrat tona, përfshirë Prishtinën, Ferizajn, Prizrenin, Gjilanin dhe Mitrovicën. Rivlerësimet realizohen çdo gjashtë muaj nga ekipi multidisiplinar, i cili përbëhet nga terapistë të zhvillimit dhe okupacional, logopedë, punonjës socialë e fizioterapistë dhe është një nga proceset më të rëndësishme në Shoqatën Down Syndrome, i cili ndihmon për të monitoruar progresin e anëtarëve, duke vlerësuar nëse ka nevojë për ndryshime në objektivat dhe gjithashtu për përshtatjen e frekuencës së shërbimeve.
Ky proces përfshin dy programet tona kryesore: Programi për Intervenim dhe Edukim të Hershëm (PIEH) për anëtarët 0-12 vjeç, ku vlerësohen fusha të ndryshme si terapia e zhvillimit dhe okupacionale, gjuhë dhe komunikim, si dhe fizioterapi; Programi për Autonomi dhe Aftësim Profesional (PAAP) për anëtarët 12+, duke përfshirë fushat e zhvillimit të autonomisë personale dhe sociale, edukim joformal dhe aftësim profesional e punësim; Instrumentet vlerësuese që përdoren janë të adaptuara specifikisht për Sindromën Down, duke siguruar një vlerësim të përshtatshëm për nevojat e secilit anëtar.
Pas rezultateve që dalin, hartohet një plan individual pune me të cilin punojnë terapistat në seanca. Në anën tjetër, prindërit dhe kujdestarët inkurajohen të ndajnë këtë plan me ofruesit e tjerë të shërbimeve, si mësuesit klasorë, asistentët e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe terapistët e tjerë, për të siguruar bashkëpunim dhe arritjen e objektivave të përbashkëta.